Vendi ynë rezulton në listën e shteteve me numrin më të ulët të sigurimit të banesave nga fatkeqësitë natyrore në Europë. Vetëm 2.4% e totalit të banesave kanë një kontratë sigurimi në rast zjarri, tërmeti apo përmbytje.
Gjithsej kompanitë e sigurimit kanë nënshkruar për periudhën Janar ? Korrik të këtij viti 26 mijë e 706 kontrata për këtë qëllim.
Sipas të dhënave të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare përgjatë këtij viti, ndërgjegjësimi për sigurimin e pronës nga fatkeqësitë ka patur rritje, pasi rezultojnë 930 kontrata më shumë se një vit më parë.
Pavarësisht kësaj, sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës sërish kap vetëm 10.4% të tregut të sigurimeve.
Në total pagesat për sigurimin e pronës në 7 muaj të këtij viti kapën vlerën e 10 milionë dollarëve, duke bërë që çmimet për këtë qëllim të bien me 10% krahasuar me një vit më parë.
Tërmeti i fortë i shkallës 5.8 rihter që goditi të shtunën pjesën qendrore të vendit ngriti pikëpyetje lidhur me sigurinë e pronës për qytetarët dhe bizneset: kush do të paguajë nëse ajo dëmtohet, buxheti i shtetit apo i dëmtuari?
Në vitin 2016-ë Banka Botërore dhe Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare hartuan një projektligj për sigurimin e detyrueshëm nga katastrofat, ndërsa kryeministri Rama, tha se një ligj i tillë është i domosdoshëm.