Kalimi në rrugën e Kombit për invalidët është falas. Por prej datës 5 korrik, invalidët që kanë kaluar përmes traut të vendosur në Rrugën e Kombit, kanë kryer pagesën prej 5 eurosh për çdo kalim. Një lajm të tillë e dha fillimisht kryetar i Shoqatës se Invalidëve të Punës të Qarkut të Kukësit, Mustafe Luzha. Shqiptarja.com u interesua edhe më tej, dhe mësoi se prej 4 ditësh tashmë, invalidët, për arsye të panjohura zyrtarisht, paguajnë të njëjtën vlerë si udhëtarët e zakonshëm.
Në mesin e tyre ka shumë invalidë të cilët duhet të vijnë shpesh nga Kukësi në Tiranë për të kryer shërbimet e nevojshme shëndetësore, siç është rasti i dializën. Siç kreu i Shoqatës së Invalidëve thotë, kjo kategori personash, për të lehtësuar shpenzimet e lëvizjeve thuajse të përditshme drejt kryeqytetit, janë detyruar të kthejnë makinën nga naftë ose benzinë me gaz, për të kursyer paratë e karburantit. Por tashmë janë rënduar edhe më shumë nga pagesa e taksës.
"Më datën 5 korrik të këtij muaji shoqëria kontraktuese e autostradës tek trari ka filluar me një urdhër verbal që t'u merret taksa invalidëve. Kanë shoqëruar edhe invalid në komisariat, pasi kanë kundërshtuar të paguajnë taksën, pasi nuk kanë qenë të lajmëruar, nuk kanë asnjë lajmërim edhe nga shoqata. Invalidët për hallet personale kanë kthyer motorin me gaz që të paguajnë pesë mijë lek për të shkuar për të bërë për dializën apo mjekimet e tjera", u shpreh Luzha për Report Tv.