Mushkonjat janë kthyer në një shqetësim në të gjithë bregdetin shqiptar. Kur gjendemi në mes të sezonit dhe plazhet janë mbipopulluar, pushuesit në Durrës ankohen se prania e mushkonjave po ua bën të pamundur pushimet.
Në mungesë të aksionit nga Instituti i Shëndetit Publik, pushteti vendor ka bërë përpjekje për të zgjidhur disi situatën, duke bërë dezinsektim në anë të detit. Por kjo është e pamjaftueshme, për pasojë edhe në qendrën shëndetësore në plazh, rastet e pickimit nga mushkonjat dhe insektet e tjera nuk kanë munguar.
Krahas zonës bregdetare, edhe në zonat e banuara gjendja është alarmante. Të vetmit që kanë ndërhyrë në terren janë vendorët.
Instituti i Shëndetit Publik, ende nuk ka vepruar sipas planit të ndërhyrjes që bëhet çdo vit, në zonat të konsideruara si moçaliste, apo në kanalet e ujërave të larta. Informacioni për kohën se kur do të ndodhë, i mungon edhe vendorëve.
Mungesa e dezinfektimit ka çuar në prani të shtuar të mushkonjave në bregdet edhe zona urbane. Pickimet e tyre veç shqetësimit shtojnë edhe rrezikun e përhapjes se sëmundjeve të ndryshme infektive.