Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia i vënë në pranga për ngjarjet e të mërkurës në KZAZ në e Shkodrës do të hetohet në arrest shtëpie. Gjykata e Shkodrës i komunikoi këtë të shtunë masën e sigurisë ish-deputetit dhe personave të tjerë që u arrestuan pas sulmit në shkollën Shejnaze Juka, ku dogjën edhe disa materiale zgjedhore.
Në kohën kur po zhvillohej seanca, Gjykata e Shkodrës u blindua nga forca të shumta policie, ndërsa në ambientet e jashtme qëndronin simpatizantë dhe mbështetës të Partisë Demokratike që kërkonin lirimin e ish-deputetit dhe te arrestuarve të tjerë.
Spahia tha në sallë se arrestimi i tij ishte politik, duke i kërkuar prokurorisë të vlerësonte faktet mbi të vërtetën e ngjarjeve në KZAZ-në 3.
Në përfundim të seancës, ish-deputeti Flamur Noka, e cilësoi arrestimin e Spahisë politik dhe një provokim të Edi Ramës.
Paraditen e së shtunës, Gjykata e Tiranës vendosi të lërë në burg për 20 ditë, Leonard Hajdarin, Ylli Hajdarin dhe Altin Picarin që akuzohen se sulmuan KZAZ-në e Vorës.
Edhe Gjykata e Shkallës e Matit ka dhënë masën e sigurisë për 9 të arrestuarit që akuzohen për dëmtimin e materialeve zgjedhore në KZAZ 16 dhe 17. Për 2 prej tyre, u caktua masa arrest me burg, me afat 30 ditë, ndërsa 7 të tjerë u lanë në detyrim paraqitje.
Tv Klan