Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të shpallë së shpejti një garë ndërkombëtare për të dhënë me koncesion ndërtimin dhe operimin e Aeroportit të Vlorës.
Televizioni Klan ka mësuar se negociatat me kompanitë turke, të cilat shprehën interes për ndërtimin dhe menaxhimin e kësaj vepre, nuk arritën të marrin dritën jeshile.
Në Shkurt të 2018-s, Kuvendi autorizoi që brenda 90 ditëve grupi negociator me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe asaj të Infrastrukturës, të arrinte një marrëveshje me bashkimin e operatorëve turkë, Cengiz; Kalyon dhe Kolin Construction.
Marrëveshja nuk arriti të finalizohet, pasi kompania kërkoi që qeveria shqiptare t?i paguajë asaj 4.5 milionë euro në vit për 7 vjet rresht si garanci për fluksin e munguar të pasagjerëve, ndërsa qeveria shqiptare ishte e vendosur që të mos akordonte më shumë se 2.5 milionë në vit.
E pyetur zyrtarisht për këtë çështje, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë shprehet se interesi nga investitorët në këtë aeroport ka qenë i madh, e se gara do të përmbajë kushtet: ndërtim-operim-transferim për kompaninë që do të dalë fituese. Firma që do të ndërtojë aeroportin do të marrë për 35 vjet operimin e tij, e më pas do ta transferojë veprën në pronësi të shtetit shqiptar.
Sipas një studimi fizibiliteti, vlera e investimit për të ndërtuar Aeroportin e Vlorës është 98 milionë euro, ndërsa në 3 vitet e para mendohet një fluks prej 600 mijë udhëtarësh në vit.
Kontrata e parë e negociuar me kompanitë turke përjashtonte mundësinë e garës për kompani të tjera, ndërsa tenderi që pritet të zhvillohet, do të përzgjedhë ofertën më të mirë ekonomike.
Aeroporti i Vlorës do të ndërtohet në Akërni, një zonë me distancë 10 minuta larg rrugës kombëtare Fier-Vlorë.
Tv Klan