Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ftoi qytetarët që të bashkohen në tubimin e 13 prillit ditën e shtunë përpara prokurorisë për të protestuar kundër qeverisë Rama, e cila sipas tij është e lidhur me krimin. Ai tha se që nga protesta e parë e opozitës në datë 16 shkurt janë shoqëruar 114 protestues dhe janë arrestuar 52 duke akuzuar se nuk e ka mendjen për të luftuar krimin, por popullin. Super grabitja në Rinas ditën e djeshme është një arsye më shumë sipas Bashës për të protestuar.
"Vrasjet, tritoli dhe grabitjet me armë në mes të ditës po tronditin cdo ditë sigurinë e njerëzve në mes të qyteteve. Policia po përdoret për të luftuar popullin dhe njerëzit e pafajshëm. Nuk ka asnjë përpjekje për të luftuar krimin, vrasjet dhe grabitjet në mes të ditës. Kur në Rinas, që është zona me sigurinë më të lartë në vend kryhet grabitje me armë në mes të ditës, cdo kush e kupton në cfarë niveli është policia, rendi dhe siguria.
Shqipëria është bërë qendër e krimit dhe bazë operacionesh. Po nxitet pastrimi i parave të krimit. Arsyeja e rënies së shtetit është pakti mes krimit dhe qeverisë ilegjitime. Dhënia fund e këtij regjimi është emergjencë kombëtare, prandaj protestojmë të shtunën. Rruga e vetme për të kthyer shtetin është bashkimi i të gjithë shqiptarëve kundër krimit" deklaroi ai. Dje u grabitën 10 mln euro në aeroportin e Rinasit