Grupi Parlamentat i Partisë Demokratike ka vendosur unanimisht pro propozimit të kryedemokratit Basha lidhur me djegien e mandateve. Vetë Lulzim Basha doli në një deklaratë për shtyp ku njoftoi vendimin e marrë gjatë mbledhjes. Ai tha se ky vendim erdhi për shkak të gjendjes së emergjencës kombëtare të krijuar në vend.
Gjatë mbledhjes deputetët e PD kanë vendosur që të mandatohet kryetari Basha që të mbledhë këshillin kombëtar për marrjen e vendimit përfundimtar. Gjithashtu është vendosur ngritja e një grupi pune për teknikalitet. Pjesë e këtij grupi do të jenë individë brenda PD që njohin ligjin dhe procesin zgjedhor.
Report Tv mëson se emrat e propozuar janë Gazment Bardhi, Oerd Bylykbashi, Enkelejd Alibeaj, Clirim Gjata dhe Ivi Kaso.
Sipas deklaratës së Bashës në mbledhje, aleatët kanë qenë pro propozimit të tij, ndërkohë që shtoi se qytetarët i dhanë besimin dha tani duhet të jenë me ta. Nga aleatët deri më tani ka shprehur mbështetjen për këtë vendim, kreu i partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka, ndërkohë që LSI nuk ka shprehur një qëndrim zyrtar nëse do të djegë apo jo mandatet e saj.