TIRANË- 13 persona janë arrestuar, ndërsa 12 të tjerë janë shpallur në kërkim për 18 miliardë lekë evazion fiskal me skemën e tatimit me vlerë të shtuar.
Hetimet për këtë rast me 30 persona të përfshirë janë kryer nga Prokuroria e Tiranës e cila ka nxjerrë edhe urdhër arrestet. Nën hetim janë 20 kompani, 30 persona dhe 4 studio kontabiliteti.
Nga skema ka rezultuar se këta persona në harkun kohor të 3 viteve kanë shkaktuar një dëm prej 18 miliard lekë duke krijuar biznese fiktive në fushën e ndërtimit e më pas duke lëshuar fatura tatimore. Nga skema e zbardhur, kompanitë e krijuara rishtazi rrisnin shpenzimet për të ulur fitimet më pas duke shkaktuar dëme në buxhetin e shtetit. Ata u zbuluan pasi kishin punësuar 1-5 punëtorë dhe bënin xhiro vjetore mbi qindra mijëra euro.
Burime nga akuza e Tiranës i thanë Report Tv se ndër personat e kërkuar janë edhe disa biznesmenë të njohur por hetimet për ta janë ende të hapura dhe konsiderohen si truri i kësaj skeme që ka përfshirë jo vetëm Tiranën.
Ka qenë Drejtoria e Hetimit Tatimore e Tiranës e cila ka konstatuar e para skemën në tre subjekte duke ia referuar materialet më pas Prokurorisë.