TIRANË-12 biznesmenë të cilët u vendosën ditën e djeshme në pranga për ndërtimin e një skeme efektive duke përfituar nga TVSH, kanë dalë sot në Gjykatën e Tiranës, ku dy prej tyre kanë marrë masën e sigurimit me 30 ditë burg ndërsa 10 të tjerët kanë marrë masën "detyrim me paraqitje".
Avokati i disa prej të ndaluarve, Enea Cenko, ka deklaruar për gazetarin e Report Tv, Arsen Rusta, se në të vërtetë nuk janë biznesmenë por punëtorë të varfër të cilët kanë rënë prej e një skeme mashtrimi, ku iu është premtuar se do të ishin administratorë kompanish.
"Skema ka funksionuar e tillë; i është propozuar që të punësohen në rolin e administratorit, ata kanë pranuar, më pas kanë firmosur nën idenë se do të emëroheshin si administratorë, por më pas i kanë marrë prokurën. Nuk kanë arsyetuar shumë gjatë. Në të vërtetë ata janë të varfër, jetojnë në kushte migjeniste", ka deklaruar avokati,
Avokati përmendi më tej edhe njërin prej të ndaluarve si rast konkret, Aleksandër Gushon.
"Aleksandër Gusho është një 50-vjeçar me shkollë të mesme. Ai jeton i vetëm, e kanë braktisur, kështu më kanë thënë miqtë e tij", u shpreh avokati Enea Cenko.
Krahas Gushos, sot dolën përpara gjykatës për masën e sigurisë: Bledar Metko, Kudret Menga, Erald Sotiri, Santiliano Çifligu, Rigerta Bakijasi, Gentjan Dedja, Anida Brahimi, Myfaret Ballushi, Asim Caci, Gerti Lago dhe Kristi Rrenja.
Rrjeti, i cili ishte i shtrirë në të gjithë Shqipërinë, i ka shkaktuar shtetit një dëm që përllogaritet në 18 milionë euro. Hetimet ndaj kompanive dhe biznesmenëve të përfshirë në qarkullimin e faturave fiktive, kanë nisur nga Prokuroria e Tiranës prej disa muajsh.