VLORE- Një atentat me armë zjarri ka ndodhur në Vlorë, në lagjen Pavarësia në rrugën e Çipajve. Nga të dhënat paraprake mësohet se është qëlluar me armë drejt një automjeti Audi A3 me targa AA 653 VC. Nga të shtënat është plagosur Mikel Mehmeti, 41 vjeç. Mehmeti ka marrë 3 plumba, në gjoks, mushkëri dhe bark. Ai ndodhet në gjendje të rëndë për jetën në sallën e operimit. Mësohet se vetëm në derën e pare të makinës janë mbi 5 plumba, ndërkohë që në vendngjarje janë gjetur 10 gëzhoja plumbash. I plagosuri dyshohet se janë qëlluar nga dy persona që ndodheshin në një makinë që është gjetur e djegur 1 kilometër larg vendit të ngjarjes. Makina Audi A3 ishte në ecje në momentin e goditjes. Burime për Report Tv bëjnë me dije se i plagosuri njihet për miqësinë e tij me familjen Llanaj në Vlorë, dhe me vëllezërit Llanaj. Njëri prej tyre, Aleksandër vuan dënimin për masakrën e Çoles. Ngjarja e rëndë ndodhi më prill të 2015-ës ku pas një sherri në kazino u vranë 3 të rinj. Policia ka rrethuar zonën ku ndodhi atentati. Rruga ku ndodhi ngjarja njihet si një rrugë ku kanë ndodhur të tjera ngjarje kriminale, ku e fundit ishte vrasja e biznesmenit Vasil Dervishaj më 7 qershor 2018.