Thellohet përplasja mes Kryeministrit dhe Presidentit pas mosdekretimit nga kreu i shtetit të Gent Cakajt si ministër të Jashtëm. Edi Rama bëri akuza të forta ndaj Ilir Metës në studion e emisionit ?Zonë e lirë? duke thënë se Presidenti ka shkelur rëndë dhe në mënyrë të përsëritur Kushtetutën.
Me vendimet e fundit, sipas Ramës, Meta po vepron si të ishte kryetar i LSI-së.
Rama akuzoi presidentin se ka vepruar me dy standarde për ministrat për çështjen e certifikatës së sigurisë
Për këto deklarata ka reaguar një ditë më pas në Facebook, Presidenti Meta që thotë se Ministria e Jashtme nuk mund të kthehet në autoshkollë.
?Sot, në momente të rëndësishme të sfidave tona rajonale, Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë nuk mund të kthehet në autoshkollë ku ustai i madh kërkon të mësojë ?gjeniun? si të ndryshojë kufijtë e të gjithë Ballkanit Perëndimor?.
Përgjigjen ia ktheu menjëherë nga Twitter, kryeministri.
?Mos prisni të merrem më me një pengmarrës të Kushtetutës në zyrën e Presidentit, i cili është katandisur në çizme rezervë e Doktorreshës së Shkencave. Gjykata e re Kushtetuese do t'i japë fund kësaj maskarade, ndërsa vëmendja jonë do jetë e gjitha tek njerëzit e zero tek çizmet.?
Por pavarësisht replikave që vazhdojnë prej 3 ditësh mes krerëve të dy institucioneve më të larta në vend mbetet e paqartë si do të zgjidhet çështja e ministrit për Europën dhe punët e jashtme.
Ngërçi shkaktoi si problem të parë dështimin e një takimi të kreut të diplomacisë shqiptare me shefen e politikës së jashtë të BE, Federika Mogerini në 10 Janar pasi përveç mosdekretimit të ministrit të ri, presidenti nuk është shprehur me dekret as për shkarkimin e ministrit Ditmir Bushati.