Edhe pse nuk ka dakordësinë e Partisë Demokratike, mazhoranca socialiste ka depozituar në Kuvend një projektligj për reformën zgjedhore, kur përfshihen dhe kërkesat e opozitës për përdorimin e teknologjisë në zgjedhje.
Drafti i PS autorizon KQZ-në që të përdorë sisteme ose pajisje teknologjike për identifikimin biometrik të votuesve, votimin përmes pajisjeve elektronike, si dhe numërimin elektronik të votave të hedhura.
Sipas këtyre parashikimeve, përdorimi i teknologjisë në zgjedhje duhet të aplikohet vetëm pasi të testohet me sukses, veprim ky që zor se mund të arrihet në zgjedhjet e qershorit të ardhshëm, për shkak të kohës së gjatë që duhet për tenderimet.
Drafti parashikon edhe kërkesën e PS-së për votën e emigrantëve vetëm për zgjedhjet parlamentare. Propozohet që votat e diasporës tu shtohen mandateve në qarkun Tiranë, duke u konsideruar si një qendër votimi e posaçme.
Emigrantët do ta marrin fletën e votimit përmes Postës Shqiptare në adresat e tyre zyrtare të banimit jashtë vendit, vetëm nëse ata do të kenë deklaruar vendbanim të përhershëm jashtë Shqipërisë, si dhe nëse kërkojnë të marrin pjesë në votime.
Sipas këtij amendamenti, Partitë politikë dhe çdo kandidat e ka të ndaluar bërjen e reklamave politike në mediat publike e private kundrejt pagesës 3 muajt fundit para zgjedhjeve. Këtë ndalim e kanë edhe institucionet shtetërore.
Një tjetër risi e amendamenteve është ajo që garanton barazinë gjinore në kandidim. Mosrespektimi i kuotave gjinore tani ndëshkohej me gjobë, ndërsa PS propozon që listat që nuk plotësojnë kriteret gjinore të mos pranohen fare nga KQZ.
PS kërkon që ndryshimet në Kodin Zgjedhor të votohen brenda kësaj jave, por në Konferencën e Kryetarëve PD e ka kundërshtuar. Në kushtet kur ndryshimi i Kodit kërkon 84 vota, pa konsensusin e opozitës miratimi i tyre është i pamundur.