VLORE - Përmes një deklarate të përbashkët të Prokurorisë dhe Policisë së Vlorës, nisur nga transmetimi i një reportazhi ku flitet për rreth 80 persona të zhdukur në vitet e fundit, një numër i cituar edhe nga foltorja e PD-së ditën e djeshme nga deputeti Ervin Salianji, dy institucionet ligjzbatuese sqarojnë se në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të zhdukur është 23. Sipas deklaratës së Prokurorisë dhe Policisë, 13 persona rezultojnë të zhdukur vetëm për vitin 2018, por saktësohet se shumë prej tyre janë larguar me dëshirë nga banesa, por edhe janë rikthyer.
Më konkretisht sipas prokurorisë dhe policisë në vitin 2016 janë zhdukur 4 persona, në 2017 gjashtë persona dhe në vitin 2018 plot 13 persona të larguar nga banesa.
"Megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për 4 raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre", thuhet në deklaratën e policisë.
Dy nga të zhdukurit e fundit në Vlorë janë Albano Xhaferri dhe Elvis Troqe, të cilët kanë humbur gjurmët përkatësisht në qershor dhe korrik të këtij viti. Dy të rinjtë kishin pak kohë që ishin kthyer nga Spanja dhe ngjarja u medua se kishte lidhje me prishjet e pazareve të drogës, por të afërmit mohojnë që të kenë pasur njohje me njëri-tjetrin. Në dëshmitë e siguruara më herët nga Shqiptarja.com, mësohet se Albano Xheferri është vrarë me çekiç në kokë me urdhër të Edison Harizajt, ky i ekzekutuar dy javë më parë në një atentat në Durrës. Ndërsa babai i Troqes u shpreh në një intervistë për Report Tv pak ditë më parë se kishte pak shpresa që djali i tij të ishte gjallë.
Elvis Troqe u zhduk pasditen e 17 korrikut 2018 ne qytetin e Vlorës. Report Tv publikoi ekskluzivisht videon e momentit kur i riu hipën në një automjet tip ?Mercedes-Benz? dhe prej atij momenti fati i tij nuk dihet. Ndërsa prej qershorit 2017 rezulton i zhdukur Marjo Metushi, i cili njihej në qytetin e Vlorës si skafist i cili kishte bërë drejt Italisë rreth 7 rrugë me gomone duke trafikuar kanabis dhe një grup kriminal i detyrohej një sasi parash rreth 200 mijë euro.
Edhe pse flasim për raste konkrete personazh të zhdukur fati i të cilëve sipas të gjitha dëshimeve por edhe hetimeve është fata, nga ana tjetër, sa i takon veprave penale kundër personit, Policia dhe Prokuroria bëjnë me dije se në krahasim me 1 vit më parë ka ulje të ndjeshme.
"Nga 12 vrasje të evidentuara në vitin 2017, numri i tyre ka rënë me 50%, ose në 6 vrasje në 2018. Nga 10 vrasje të mbetura në tentativë në 2017, është ulur me 50% numri në 2018, pra janë 5 tentativa të evidentuara. Të gjitha strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e agjenci të tjera ligj zbatuese, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërive me qëllim ruajten e parametrave të rendit dhe të sigurisë e në shërbim të qytetarëve".