Edison Harizaj, një emër i njohur për policinë si i dyshuar për një sërë ngjarjesh të rënda të ndodhura në qytetin e Vlorës u ekzekutua në një atentat të tipit mafioz mbrëmjen e së martës në lagjen 13 të Durrësit. 39-vjeçari ishte duke udhëtuar me një automjet luksoz tip ?Audi A8? së bashku me një mikun e tij kur u ka prerë rrugën një tjetër makinë.
Në drejtim të tyre është derdhur një breshëri plumbash duke bërë që Harizaj të humbë jetën në vend ndërsa ka mbetur i plagosur Genci Caci, 33-vjeç edhe ky banues në Vlorë i cili ndodhet nën kujdesin e mjekëve të spitalit të Traumës në Tiranë në gjendje të rëndë për jetën. Vetëm 4 kilometra larg vendit të atentatit, në Shën Vlash është gjetur më pas nga policia ky automjet i djegur i cili dyshohet se u përket autorëve.
Ende nuk dihen rrethanat apo motivi i krimit të rëndë por hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një përplasje pas prishjes së pazareve mes grupeve kriminale.
Edhe viktima edhe i plagosuri kanë precedentë të mëparshëm penalë. Edison Harizaj është vënë nën hetim për disa vrasje të ndodhur ndër vite në Vlorë. Ka qenë i dyshuar edhe për vendosje tritoli dhe trafik droge, por për mungesë provash është lënë i lirë. Në polici janë shoqëruar disa persona për tu pyetur.
Në vendin e ngjarjes nuk ka pasur kamera sigurie dhe mungonte ndriçimi gjë që ka vështirësuar punën e hetuesve për zbardhjen e ngjarjes.