Dy të vrarë dhe një i plagosur është bilanci i një ngjarje të rëndë të ndodhur në qytetin e Vlorës mesditën e sotme, pranë "Ujit të Ftohtë" në qytetin bregdetar.
Nga terreni, gazetari i Report Tv, Armand Xhelili, raporton se në rrethana ende të paqarta kanë mbetur të vrarë dy persona dhe një tjetër i plagosur.Një makinë e djegur është gjetur në fshatin Babicë të Vlorës. Dyshohet që automjeti të jetë përdorur gjatë atentatit nga autorët dhe të jetë djegur më tej prej tyre në një distancë të largët, për të humbur gjurmët.
Viktima të këtij atentati mbetën personat me inicialet A.R dhe A.H, ndërsa i plagosuri është me inicialet A.S.
Trupat e viktimave janë mbuluar nga policia, të cilët ndodhen rreth 2 metra larg njëri-tjetrit. Një i vdekur është gjetur në një makinë Passat, ndërsa tjetri në rrugë. Nuk dihet ende nëse ka pasur përleshje të armatosur mes palëve.
Mësohet se i plagosur është transportuar për në spital dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën. Dyshohet të ketë pasur një konflikt mes personave të përfshirë në ngjarje, por pritet të mësohen më shumë detaje nga Policia e Vlorës e cila ka mbërritur në vendngjarje.
Kanë qenë banorët e zonës që kanë raportuar pranë uniformave blu për të shtëna me armë, nga ku më tej u zbulua bilanci i rëndë me dy viktima dhe një të plagosur.