Kërkesa e Krimeve të Rënda vjen dy ditë pas vrasjes së 35 vjeçarit, familjarët e të cilit refuzuan deri në orën 16:00 të së martës që ta tërheqin trupin, pasi kërkonin ekspertizë greke. Familja ka pajtuar një avokat grek dhe një mjek nga spitali i Janinës, të cilët do të ndjekin procesin e autopsisë që do të kryhet në Tiranë.
Ndërkohë që edhe pse Prokuroria shqiptare refuzoi hetuesit grekë që të bëhen pjesë e hetimeve për vrasjen e ekstremistit Kostandinos Kacifas në vendin fqinj ka nisur një hetim. Burime nga Prokuroria thanë për Report Tv se pala greke ka shfaqur interes, por janë refuzuar. Sipas Prokurorisë, hetuesit grekë mund të vijnë vetëm në rolin e vëzhguesit, por jo aktivë në hetime.