Fshati Rragam i Shalës në Tropojë prej 11 vitesh ndodhet në errësirë të plotë, pasi transformatori i energjisë elektrike është dëmtuar dhe me pas është vjedhur pjesërisht nga njerëz të ndryshëm për ta shitur atë për skrap. Banorët shprehen se në vitin 2017 deputetja Mimi Kodheli, ka sjellë një transformator të ri, tre ditë para zgjedhjeve parlamentare, të cilin nuk e kanë vënë asnjëherë në punë.
Aktualisht transformatori është tek shtëpia e kryeplakut për t?a ruajtur, pasi në fshat mungon edhe rrjeti i energjisë elektrike i cili është vjedhur dhe nuk është zëvendësuar asnjëherë.
Përveç mungesës së energjisë elektrike, problemet në fshatin Rragam të Shalës nuk kanë të sosur, që nga mungesa e infrastrukturës rrugore, ujit të pijshëm, shërbimit shëndetësor dhe atij arsimor duke i lënë këta banorë në mëshirë të fatit.