Dhoma Amerikane e Tregtisë është kundër denoncimit në bllok të prishjes së kontratave koncesionare dhe sekuestrimit të pasurive të bizneseve nga ana e qeverisë.
Mark Crawford, president i kësaj dhome, thotë në një intervistë për televizionin Klan se platforma antimafia e prezantuar disa ditë më parë nga demokratët frikëson investitorët e huaj. Crawford shprehet se nëse ka indicie specifike për një biznes, është mirë që çështja të denoncohet dhe të gjykohet nga drejtësia, por kurrësesi ndëshkimi nuk duhet të jetë në grup për të gjithë.
?Nëse ka raste specifike është normale që të hetohet ky rast, nëse është politike, kur përkthehet në anglisht investitorët frikësohen sepse mendojnë se do të heqin të koncesionet në kohën kur i kanë bërë parti të caktuara që janë në pushtet. Kjo është një gjë e keqe.?
Dhoma Amerikane vetë ka biznese të lidhura e që punojnë me listën e biznesmëneve të publikuar nga Partia Demokratike, e kjo gjë sipas Crawford nuk ndihmon në klimën e investimeve.
?Dhoma ka mbi 200 anëtare dhe disa nga ata kanë aksionerë që janë të lidhur me persona që dhe mund të jenë në atë listë. Nëse nuk është anëtar është i lidhur me biznes. Nëse këto janë deklarata poltike është normale, por më shumë se kaq, nuk ndihmojnë klimën e investimeve.?
Por a beson Dhoma Amerikane në aksionin e Partisë Demokratike në rastin që ajo do të vijë në pushtet, apo janë thjesht deklarata politike?
?Normalisht është një përzierje, mbase kanë detaje që nuk i dimë, por duhet të vijnë në pushtet dhe të hetojnë problemet.?
Të hënë, Partia Demokratike listoi një sërë emrash biznesmenësh dhe kontrata konçesionare të marra nga kompanitë e tyre si të jashtëligjshme e në dëm të buxhetit të shtetit duke paralajmëruar prishjen dhe konfiskimin e tyre kur të vijë në pushtet.