Ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka reaguar pas arrestimit të kreut të Hipotekës së Shkodrës, Zamir Leka, i akuzuar se ka pranuar të marrë para nga persona të tjerë në këmbim të regjistrimit të pronave. Gjonaj tha në një deklaratë për shtyp nga Ministria e Drejtësisë se ligji do godasë pa asnjë tolerim çdo shkelës dhe zyrtar që abuzon me detyrën.
Jam këtu për të përgëzuar bashkëveprimin mes Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese, të cilat janë konkretizuar sot me ndalimin e Regjistruesit të ZVRPP Shkodër dhe një specialisteje të këtij institucioni. Të njëjtën vendosmëri dhe bashkëpunim do të duhet të demonstrojmë edhe në një sërë veprimesh të tjera të nisura tashmë.
Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë
Deklarata për shtyp e Ministres së Drejtësisë:
Platforma e bashkëqeverisjes shqiperiaqeduam.al dhe Task Forca Antikorrupsion e Qeverisë nga njëra anë, si edhe bashkëpunimi në rritje Prokurori ? Polici e Shtetit nga ana tjetër, po e fuqizojnë dita-ditës kapacitetin goditës të shtetit. Jam këtu për të përgëzuar bashkëveprimin mes Prokurorisë, Policisë së Shtetit dhe organeve të tjera ligjzbatuese, të cilat janë konkretizuar sot me ndalimin e Regjistruesit të ZVRPP Shkodër dhe një specialisteje të këtij institucioni.
Por jo vetëm ky rast. Një sërë operacionesh të finalizuara me sukses ditët e fundit janë frut i bashkëpunimit midis strukturave antikorrupsion, Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Mjafton të përmendim ndalimin nga Policia e Shtetit të dy punonjësve të AKU-së në Durrës, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën penale të korrupsionit, të një tjetër punonjësi të ZVRPP Shkodër dhe dy shtetasve për ushtrim ndikimi të paligjshëm, për të vërtetuar efektshmërinë në rritje të forcës goditëse të shtetit kundër korrupsionit. Të njëjtën vendosmëri dhe bashkëpunim do të duhet të demonstrojmë edhe në një sërë veprimesh të tjera të nisura tashmë.
Dua të siguroj gjithë qytetarët se ky angazhim i përbashkët institucional do të vijojë me reagime konkrete, si një tregues i vendosmërisë së shtetit për të goditur pas asnjë tolerim, këdo që do të kryejë akte korruptive apo do të abuzojë me detyrën. Gjithashtu për të qenë transparent me publikun, ashtu siç dhe jemi angazhuar, nesër do të komunikojmë përsëri për një përmbledhje javore të rezultateve të veprimtarisë antikorrupsion.