Qeveria shqiptare me një vendim të këshillit të ministrave më datë 31 korrik 2018 vendosi ndryshimin e kritereve për emërimin e shefave të shërbimit në Qendrat Spitalore Universitare, çka nënkupton ndërrimin e shefave të tanishëm, me drejtues të rinj, të cilët përmbushin kriteret e reja.
Por, deri më tani, gati dy muaj pas këtij vendim procesi nuk ka vijuar. Burime për Report TV bëjnë me dije se asnjë prej shefave të shërbimeve spitalore nuk është ndërruar.
Vendimi i cili duhej të hynte menjëherë në fuqi, nuk ka asnjë dritë jeshile për vijueshmërinë e tij. Shefat, të cilët janë aktualisht në në Qendrat Spitalore Universitare e kanë mbyllur mandatin e tyre në vitin 2015, por për arsye se duhet të përzgjidheshin duke u bazuar në ligjin e ri të arsimit të lartë përzgjedhjet dhe emërimet e reja u shtynë me gati tre vjet.
Por, cilat janë kriteret e ndryshuara për shefat e rinj të shërbimeve?
Për t?u bërë shef shërbimi mjafton edhe kryerja e një doktorature në vend.
Sipas vendimit më të fundit të miratuar në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, shef shërbimi mund të jetë edhe dikush që ka mbrojtur doktoraturën në një universitet të mjekësisë në Shqipëri, gjë e cila nuk ka qenë më parë, nëse nuk kishe titullin profesor dhe se doktoraturat duhej të ishin mbrojtur në një universitet mjekësie në vende të Bashkimit Europian, apo SHBA Turqi, Australi dhe Japoni.
Po ashtu, në rast se kandidati nuk ka përvojën e duhur akademike si pedagog me kohë të plotë, mund të bëhet shef shërbimi edhe në rast se ka punuar me kohë të pjesshme.
Por ndryshimi i ri kërkon tetë vite punë rresht pa ndërprerje, ndryshe nga më parë ku mjaftonin gjithsej po kaq vite punë si pedagog i jashtëm.
Për të vlerësuar kandidatët në garë për të drejtuar një shërbim të caktuar, do të hartohet një udhëzim i përbashkët midis dy ministrive: ajo e Arsimit dhe Shëndetësisë, duke shfuqizuar përcaktimet dhe kriteret e përcaktuara nga VKM-ja e mëparshme.
Një tjetër ndryshim është kontrata e personit që bëhet shef i një pavijoni. Ajo nuk do të jetë më vetëm midis tij dhe strukturës drejtuese, por trepalëshe, duke futur në këtë mes edhe drejtuesin e universitetit.
Shefat e shërbimeve duhen medoemos të kenë qenë pjesë e sistemit akademik për një periudhë të konsiderueshme kohe, ashtu siç nevojitet përvoja klinike për jo më pak se një dekadë në një specialitet të caktuar. Ndryshimet u përcaktuan me vendimin e Këshillit të Ministrave.