Sikur të mos mjaftonin tarifat e larta që vendos koncesionari i Rinasit ndaj kompanive të fluturimit ajror, sezoni i verës ka dyfishuar çmimet e biletave.
Të fluturosh brenda Europës, një biletë vajtje-ardhje fillon nga 300 Euro nëse operon me linja low cost dhe arrin në çmimin mesatar 600 Euro për destinacione direkte, madje ka edhe bileta që për të shkuar nga Tirana për në Londër e për tu kthyer më pas në Shqipëri, vlera arrin në 1400 Euro.
Por edhe tregu i fluturimeve me destinacion Italinë, i cili ka mbajtur gjithmonë çmimet më të ulëta për shkak të linjave të shumta që operojnë në Shqipëri ka rritur me 100 Euro biletat.
Nëse do të udhëtosh në Romë, Firence, Venecia apo kudo tjetër në Itali, çmimi nis nga 250 Euro për të arritur edhe në 400 e 500 Euro.
E njëjta situatë është edhe me qytete të tjera të Europës, si Parisi, Berlini Barcelona, Athina, dhe destinacione të tjera turistike duke bërë të pamundur lëvizjen e qytetarëve shqiptarë.
Ndryshe nga Aeroporti i Tiranës, ai i Shkupit apo i Prishtinës ofrojnë çmime më të lira për shkak të tarifave të ulëta që operojnë. Me linjë direkte nga Shkupi në Londër, paguan vetëm 140 euro, ndërsa për të shkuar në Romë, 160 Euro, çmime dy deri në 3 herë më të ulëta se ato që ofron Shqipëria.
Tv Klan