Komisioni i pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar gjyqtarin e Gjykatës së Lartë, Tom Ndreca. Ndreca nuk ka kaluar komponentin e pasurisë, pasi në 7 vite ka deklaruar blerjen e 4 apartamenteve, për të cilat nuk justifikon burimin e të ardhurave. I njohur si gjyqtari që i dha Lulzim Bashës fitoren në tavolinë për Bashkinë e Tiranës në 2011 dhe për gjykimin e dosjes së 21 Janarit, deklaroi se ka blerë katër shtëpi me kursimet nga pagat. Banesat i deklaron në harkun kohor nga viti 2003 deri në vitin 2010, por sipas KPK, Ndreca nuk justifikon burimin e pasurisë.
Krahas pasurisë së pajustifikuar, KPK ka zbuluar edhe kontakte të gjyqtarit me një person të arrestuar për kultivim narkotikësh.
Në deklaratën fillestare të vitit 2003, Tom Ndreca deklaron se është pronar me 50 % në dy apartamente, secili 2+1. Apartamenti i dytë ka një sipërfaqe prej 120 m2 dhe garazh 18 m2, ndërsa ndodhet në Tiranë. Në vitin 2009, Ndreca deklaron një apartament në Golem, me sipërfaqe 70 m2, me vlerë 31 mijë euro. Si burim, gjyqtari deklaron kursimet nga pagat. Një viti më vonë, në vitin 2010, Ndreca deklaron një apartament me sipërfaqe 100 m2, me vlerë 6 000 000 lekë. Apartamentin e ka shlyer deri në vitin 2015.
Po gjatë këtyre viteve, Ndreca deklaron kursime vjetore nga pagat që variojnë deri në 17 milionë lekë të vjetra. Ndërkaq, të ardhurat e anëtarit të Gjykatës së Lartë përbëhen nga paga e tij, paga e bashkëshortes, e cila ka dalë në pension në vitin 2017 si dhe pagat e dy djemve, të cilët punojnë pranë Ministrisë së Drejtësisë dhe Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme.