50 milionë euro do të paguajë buxheti i shtetit për 30 vitet e periudhës së koncesionit të mirëmbajtjes së rrugës së Kombit nga reduktimi i tarifave. Lajmin e ka konfirmuar gjatë një takimi me përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës ministri i Financave Arben Ahmetaj.
?Janë gati 48-50 milion euro që i merr përsipër Buxheti i Shtetit të Shqipërisë për periudhën e koncesionit vetëm nga këto ndryshime që po mendojmë të bëjmë. Lajmi i mirë është se ju nuk do të paguani aq sa mendohej në kontratën e parë. Kryeministri ka ngulur këmbë, ministri ka ngulur këmbë, në finale në kurrizin e Buxhetit të Shtetit vjen dhe ne e kemi pranuar?, tha Ahmetaj.
Ndërsa ministri Damian Gjiknuri tha se për udhëtarët e shpeshtë zbritja është duke u negociuar me konçesionarin. Tarifat për këta përdorues do të jenë njësoj si për bizneset e Kosovës edhe për ato të Shqipërisë.
?Nuk do të krijohet një konkurrencë e pandershme për shkak të kostove të shtuara të transportit dhe me biznesin do të jetë praktika e njëjtë, si për shqiptarët e Shqipërisë ashtu edhe për shqiptarët e Kosovës?, tha Gjiknuri.
Qeveria thotë se kostoja e mirëmbajtjes së rrugës së Kombit është 7 milion euro në vit dhe se edhe në momentin që nuk do të paguajnë atë të cilët kalojnë aty, pagesat do të rëndojnë buxhetin e shtetit. Qeveria është akoma në diskutime dhe pritet që këtë muaj të shpallë tarifën për banorët e zonës në vlerën e 100 lekëve për kalim dhe për përdoruesit e shpeshtë.
Tv Klan