Gjatë vitit 2017 më shumë 21 miliardë lekë të rinj nga buxheti i shtetit janë përdorur për tendera dhe koncesione të dyshimta.
Report TV ka siguruar raportin që Komisioni i Prokurimit Publik ka depozituar në Kuvend, ku thuhet se gjatë vitit 2017 pranë Komisionin të Prokurimit Publik janë paraqitur ankesa lidhur me vendimmarrjen për procedurat e prokurimit publik, koncensione/ppp, ankande publike dhe leje minerare për 308 autoritete kontraktore, pra institucione.
Janë 1099 ankesa në total, prej të cilave 1083 ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 4 ankesa për procedurat konkurruese koncesione/ppp, 7 ankesa për procedurat e ankandit publik dhe 5 ankesa për procedurat konkurruese leje minerare.
Sipas raportit, Komisioni i Prokurimit Publik ka marrë vendime lidhur me ankesat e paraqitura për procedura të cilat, në total, referuar fondeve limite, arrijnë një vlerë prej 21.350.943.914 lekë.
Nga ankesat e shqyrtuara gjatë vitit 2017, 50.4 % e tyre janë pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik, me një vlerë të përafërt tenderash të anuluara më shumë se 10 miliardë lekë të rinj.