TIRANE- Zbardhet raporti i hartuar nga grupi i kontrollit për veprimtarinë e kryeinspektores Zana Xhuka në krye të ILDKP, i cili kërkon shkarkimin e saj nga kjo detyrë. Raporti i grupit të kontrollit të ngritur nga Parlamenti në nëntorin e vitit të kaluar, arrin në konkluzionin se emërimi i Zana Xhukes në këtë post është i pavlefshëm duke propozuar shkarkimin e saj nga posti i kryeinspektores. Në ketë raport theksohet se emërimi është bërë në kundërshtim me ligjin pasi ajo nuk plotëson kriteret e përcaktuara në nenin 12 që sanksionon se kreu i ILDKP duhet të ketë arsimin e lartë si Ekonomist Financier ose Jurist si dhe eksperiencë në profesion jo më pak se 10 vjet, kërkesa këto që Xhuka nuk i përmbush.
Grupi i kontrollit i përbërë vetëm nga mazhoranca rendit edhe një sërë shkeljesh nga kryeinspektorja si dhe refuzimin e saj për të bashkëpunuar me Parlamentin. "Grupi i deputëtëve për kontrollin në ILDKPKI është i mendimit se Kuvendi i Shqipërisë, me përgjegjshmërinë e autoritetit të lartë kushtetues për të mos lejuar delegjitimitetin e organeve të emërtesës së tij (ILDKPKI), por edhe me synimin për të rivendosur në vend ligjin e cënuar rëndë, ka detyrimin për të konstatuar pavlefshmërinë absolute të aktit të emërimit të Znj. Zana Xhuka në detyrën e Inspektores së Përgjithshme të ILDKPKI në dt. 21.01.2013", thuhet në raport. Ndërkohë që grupi i kontrollit nga Parlamenti u ngrit pas përplasjeve mes punonjësve të inspektoriatit dhe drejtueses së tij, Zana Xhuka, çështje që përfundoi edhe dyert e Prokurorisë.
Shkeljet e konstatuara
Grupi i deputetëve të mazhorancë në raport paraqet edhe një sërë shkeljesh të tjera ligjore që janë bërë nga kryeinspektorja Xhuka. "Mosushtrim kompetencash dhe paaftësi profesionale në drejtimin dhe funksionimin e institucionit, e lidhur drejtpërdrejtë me faktin e mospërmbushjes në asnjë aspekt të kritereve të diplomimit, përvojës në profesion dhe të meritës në zgjedhjen e Inspektores së Përgjithshme. Moskryerje e detyrave ligjore dhe institucionale duke sjellë si pasojë mungesën e rezultateve në drejtimet kryesore të funksionimit të këtij institucioni.
Mungesa e rakordimit të rregjistrave themeltarë me të gjitha institucionet shtetërore në fillim të vitit 2013, për personat që mbartin detyrimin për deklarim, duke krijuar potencialisht një situatë të rëndë të mosdeklarimit të shumë subjekteve që me ligj e kanë këtë detyrim si dhe moszbatim me dashje i detyrimit ligjor për të informuar dhe raportuar para komisionit të Kuvendit, ndaj të cilit ka detyrimin kushtetues dhe ligjor", thuhet në konkluzionet e arritura nga grupi i kontrollit.