Tirana është përzgjedhur nga Instituti Amerikan i Arkitekturës si një histori suksesi dhe shembull se si një qytet mund të transformohet edhe me pak buxhet. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë si i ftuar special në Konferencën ndërkombëtare të AIA-s, me temë ?Hapësira rinore dhe transformimi urban?, e cila u zhvillua dje në Prishtinë dhe ku morën pjesë mbi 100 arkitektë nga e gjithë bota.
Konferenca e arkitektëve e vlerësoi Tiranën si një nga qytetet që ka ndryshuar më shumë në 25 vitet e fundit në Evropë, ndërkohë që kryebashkiaku i saj, në tre vitet e fundit ka sjellë një frymë transformuese përmes nismave gjelbëruese dhe mobilizimit të qytetarëve dhe organizatave rinore.
Veliaj falenderoi qytetarët e Tiranës që janë bërë pjesë e transformimit që ka pësuar kryeqyteti dhe theksoi se ashtu si në një familje, çdo anëtar ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndërtimin e një historie suksesi.
Jam shumë i lumtur që Tirana është përzgjedhur nga Instituti Amerikan i Arkitekturës si një histori suksesi dhe një shembull për të mësuar se çfarë mund të bësh me pak buxhet, por me shumë kreativitet për transformimin e qytetit. Sigurisht, më bën të ndihem krenar sepse e kemi arritur të gjithë bashkë. Kjo nuk është vetëm punë bashkie, kjo është punë qyteti, sidomos kur kontribuojnë të gjithë, edhe fëmijët, edhe të rriturit, edhe gjyshërit, edhe ata që mbjellin, ata që pastrojnë, që kujdesen për korsitë e biçikletave, që transformojnë hapësirat urbane, duke filluar nga Pazari i Ri tek Bulevardi i Ri.