Sot është një ditë, fokusi i së cilës janë gratë. Lulet dhe ngjyrat e 8 marsit, zbukurojnë sot shumicën e lokaleve që mbushen plot me grupe vajzash e grash të cilat festojnë.
Kjo ditë e cila e ka zanafillën nga një protestë , nuk ka vetëm historitë e bukura të atyre që i ka përkëdhelur fati, por ka edhe histori si ajo e Terezës e cila ia ka dalë mbanë që të mposhtë vështirësitë dhe problemet me të cilat e ka përballur jeta.
Nga studio e Rreze Dielli mëngjesin e sotëm Tereza foli për martesën e saj të hershme që në moshën 20 vjeçare. Me dy fëmijë dhe e dhunuar fizikisht dhe psikologjikisht nga ish-burri i saj, Tereza ka vuajtur për 6 vjet martesën e saj.
"Çdo natë dhe ditë që jetoja me të, nuk kisha një qetësi në kokë. Nuk gjeja një gëzim, nuk gjeja një lumturi me të. Vetëm strese, halle, problem. Nuk sillte asnjë të mirë që të kishim një familje të lumtur", shprehet Tereza.
E pyetur në studio nga Erjona dhe Albani, Tereza na tregon se ajo punonte dhe përpiqej shumë për familjen e saj.
"Unë punoja, isha në fabrikë këpucësh dhe çdo datë që merrja rrogën ishte data më e keqe. Ajo datë sillte problem në shtëpi, sillte sherre, donte lekë që ti çonte në bixhoz. Unë nuk kisha guxim që ti thoja një herë të na blinte diçka, ose të na kryente një furnizim për shtëpinë", tregon Tereza në studio.