Fermerët nuk mund të përfitojnë nga projektet e qeverisë për bujqësinë nëse nuk kanë numër NIPT, ndërkohë që për formalizimin u nevojiten certifikatat e pronësisë. Ata thonë se qeveria duhet t?u japë certifikatën e pronës fillimisht, ndërkohë që formalizimi mbart edhe rrezikun e përballjes me taksa që fermerët druhet se mund të mos i paguajnë dot. Ndërkaq, inspektorët e Bujqësisë inkurajojnë fermerët të formalizohen pasi kjo nuk ka lidhje me taksat.
Fermerët kërkojnë nga qeveria që të intensifikojë punën për dhënien e certifikatave të pronësisë, pasi sipas tyre, nëse një dokument i tillë nuk disponohet, formalizimi dhe për pasojë edhe projektet e financimit qeveritar mbeten të paarritshme.
Ismail Paja, një fermer nga Tirana, thotë se fermerët duan mbështetje për dhënien e titujve të pronësisë, më pas informimin dhe orientim për aplikimin në projektet për bujqësinë.
Ismail Paja, fermer: Nuk kam qenë i formalizuar, këtë vit jam formalizuar. U formalizova tani, pasi nuk kisha dokumentin e tokës sime. Të gjtihë duan të punojnë, por dokumentat e pronësisë janë çështja kyçe për formalizimin dhe aplikimin në projekte të ndryshme.
Ndërsa Tafil Marku, një bletërritës, shprehet se përballja me taksat i step fermerët për tu formalizuar.
Tafil Marku, fermer: Më përpara nuk aplikonim, pasi nuk regjistrohemi për shkak të taksave. Është frika e taksave dhe mungesa e dokumentacionit të tokave që na stepin për formalizim.
Për ekspertët e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural, pasjisja e fermerëve me NIPT nuk parashikon pagesa taksash, por vetëm formalizim të aktivitetit të tyre bujqësor apo blegtoral.
Ingrid Dashi, Inspektore në AZHBR: Fermerët duhet patjetër që të formalizohen, pra të kenë NIPT, pasi në të kundërtën nuk mund të aplikojnë për skemat mbështetëse. NIPTI i fiermerit nuk ka detyrime, ndaj u krijua NIPTI i veçantë, ndryshe nga sa është NIPTI i subjektit fizik apo juridik. Me këtë NIPT formalizohen të gjithë fermerët që merren me bujqësi dhe blegtori në të gjithë vendin.
Skema e qeverisë për këtë vit parashikojnë mbështetje për femerërët përmes 52 masave mbështetëse, aplikime që mund të realizohen deri më 28 mars.