Deputeti i Partisë Demokratike Edmond Spaho është përjashtuar nga seanca e sotme parlamentare pasi kishte bllokuar foltoren e Kuvendit.
Sipas kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, deputeti Spaho bllokoi foltoren për dy minuta dhe në zbatim të rregullores së Kuvendit, u përjashtua nga seanca e sotme dhe penalizohet gjithashtu me gjobë duke i hequr nga rroga ditën e punës.
Situata u tensionua pasi kryeparlamentari Ruçi i ndërpreu fjalën deputetit të Partisë Demokratike Edmond Spaho, pasi ky i fundit kërkoi që të diskutohej për ekstradimin e Nezar Seitit drejt Italisë, të konsideruar si financieri i bandës së "Habilajve". Sipas Ruçit, çështja e Nezar Seitit nuk është në rend të ditës dhe nuk mund të diskutohej për të, e për këtë arsye i ndërpreu fjalën. Ky veprim i kryeparlamentarit shkakoi irritim tek deputetët e opozitës, të cilët u ngritën në këmbë duke bllokuar foltoren.
Opozita akuzon Ministrinë e Drejtësisë për ekstradimin e financierit të Habilajve drejt Italisë, pasi Nezar Seiti është i pandehur në Shqipëri në lidhje me hetimin ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahirit.