http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://instagram.com/vizionplustelevizion
https://twitter.com/VizionPlusTV
Rreth 1500 forca policie do angazhohen të shtunën për mbarëvajtjen e protestës së opozitës. Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shtetit, protesta do të fillojë në orën 12 dhe do të mbyllet në orën 16 pasdite.
Të angazhuar do jenë FNSH, Forcat e Rendit dhe ato operacionale. Gjithashtu, do të ketë edhe agjentë civil e të Shërbimit Informativ Shtetëror. Burime pranë policisë thanë se synimi është shmangia e incidenteve, por edhe identifikimi i personave me precedentë penalë.
Për mbarëvajtjen e protestës do të bllokohet lëvizja e automjeteve nga ora 10 e mëngjesit në bulevardin ?Dëshmorët e Kombit?, deri tek sheshi ?Nënë Tereza? si dhe bulevardin ?Bajram Curri? deri tek rruga e ?Elbasanit?.
Në këto akse qytetarët duhet të tregojnë kujdes që të mos lënë automjetet e tyre të parkuara ndërsa makinat e tonazhit të rëndë nuk do të lejohen të qarkullojnë brenda Unazës së madhe deri në përfundim të tubimit.
Kufizimet do të prekin dhe linjat e transportit urban. Autobusët e ?Tiranës së Re? do kthehen tek sheshi ?Willson? kurse linja e ?Kamzës? do të kthehet tek ish-kafe ?Flora?, ndërsa linjat e tjera mund te devijojnë në varësi të situatës.
Automjetet me protestues që vijnë nga rrethet do të lejohen deri tek Pallati i sportit ?Asllan Rusi?, Qyteti i Nxënësve, e deri tek rrethrrotullimi pranë Fakultetit Ekonomik.
Ndonëse nuk ka informacion kriminal policia shprehet se do të ndëshkojë këdo që cenon rendin e sigurinë publike, kjo pasi gjatë protestës së 18 dhjetorit para parlamentit nuk munguan përplasjet mes policisë dhe protestuesve, ku 6 efektivë mbetën të lënduar, ndërsa disa simpatizantë u arrestuan.