http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Vendimi i Shkupit zyrtar për ndërtimin e një hidrocentrali në Fushën e Lukovës ka nxitur reagimin e fortë të komunitetit që jeton në Dibër të madhe. Ndërtimi i këtij liqeni që grumbullon ujerat e të gjitha burimeve në trekëndëshin kufitar Shqipëri-Kosovë-Maqedoni dëmton florën dhe faunën në grykën e Radikës një prej më të bukurave të kësaj zone dhe kjo ka bërë që drejtuesit e pushtetit lokal të mbështetur nga shoqëria civile t'i drejtojnë qeverisë maqedonase një peticion kundër këtij projektit. Marrja e këtij uji do të çojë në tharjen e Radikës dhe jo vetëm do të dënonte me vdekje florën dhe faunën në këtë grykë, por në Liqenin e Dibrës do të mungonin dhjetëra metra kub ujë, rrjedhimisht kjo sasi uji do t'u mungonte edhe katër hidrocentraleve të Kaskadës së Drinit, duke shkelur kështu një marrëveshje ndërkombëtare në dëm të shqiptarëve. Për këtë arsye drejtuesit e pushtetit lokal të kësaj zone i kanë kërkuar ndihmë edhe qeverisë shqiptare për të koordinuar përpjekjet për bllokimin e këtij projekti. Por edhe pse ky vendim i qeverisë maqedonase bie ndesh me marrëveshjen e ujërave të nënshkruar rreth viteve '60 mes Shqipërisë dhe Republikës Jugosllave te asaj kohe; shqiptaret e Dibrës se Madhe duket se kanë mbetur të vetëm në këtë betejë pasi Tirana zyrtare ende nuk ka reaguar publikisht.