Armand Duka dhe Bashkim Fino do të jenë përballë njëri-tjetrit në garën për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Duka e zyrtarizoi kandidaturën paraditen e të enjtes. Kreu aktual i FSHF-së dha njoftimin në profilin e tij në Instagram, ku shkruan se rikandidimi i tij është kërkuar nga një pjesë e konsiderueshme e komunitetit të futbollit dhe anëtarëve të Federatës Shqiptare.
Armand Duka: "Masivizimi i futbollit, fëmijët, të rinjtë, femrat, rezultatet e skuadrës Kombëtare me objektivin madhor për kualifikimin në EURO 2020 dhe Kupën e Botës 2022, arritjet e klubeve në arenën ndërkombëtare, politikat e futbollit dhe e ardhmja e garantuar më japin besim se sërish do vendosim për një futboll shqiptar gjjthnjë e më të mirë".
Pasditen e së enjtes shpalli kandidaturën edhe deputeti socialist Bashkim Fino, duke shpjeguar dhe arsyet pse vendosi të kandidojë.
Bashkim Fino: "Ka humbur besimi në futboll. FSH duhet të jetë në ballë me Komisioni e Etikës dhe arbitrave për ta bërë lojën e pastër. S'ka asnjë dosje që ka vajtur në Prokurori. Ka ardhur koha të sjellim njerëzit në stadium. Me fondet e UEFA-s çdo ekip i Superligës dhe kategorisë do ketë fusha stërvitore".
I pyetur nëse do të heqë dorë nga mandati i deputetit, Fino tha se të qenit pjesë e parlamentit nuk e pengon të kandidojë. Por veç mandatit të deputetit, Fino mban edhe funksionin e Sekretarit Organizativ të Partisë Socialiste.
Duke shpresuar tek marrja e besimit nga komuniteti i futbollit në vend, Bashkim Fino tha se do të kërkonte kufizimin e mandatit të presidentit deri në dy vjet dhe premtoi se nëse do të jetë për 8 vite në drejtimin e FSHF-së, do të ndërtojë 5 stadiume me standardin e 'Elbasan Arenas'.