Vendimet e Arta Markut shkaktojnë përplasje në Prokurori

RTV KLAN 2018-05-10

Views 0

Lëvizjet e para që kryen në drejtimin e prokurorive të rretheve dhe në Prokurorinë e Përgjithshme përplasin disa prokurorë me kreun e përkohshëm të akuzës qëndrore, Arta Markun.

Prokurori i Elbasanit Dritan Gina, e ka kundërshtuar largimin nga pozicioni që ka mbajtur prej Korrikut të vitit 2016, duke e quajtur të paligjshëm. "Nuk do ta lë detyrën, pasi është në bazë të një vendimi të paligjshëm", tha Gina.

Prokurori Gina e lidh largimin e tij nga detyra me nje kërkesë që ka bërë në Prokurorinë e Përgjithshme për asistencë në hetimin që po kryhet për zbardhjen e disa ngjarjeve të rënda kriminale në Elbasan.

Pavarësisht kundërshtimit të Ginës zëvendësi i tij Ardian Nezha është prezantuar rreth orës 15:00 në krye të kësaj prokurorie. Të hënën edhe bashkëshortja e Dritan Ginës, Prokurorja Rovena Gashi, ish-drejtoreshë e marrëdhënieve me jashtë në Prokurorinë e Përgjithshme, e ka paditur në Gjykatë kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku. Rovena e cilëson vendimin për largimin e saj nga pozicioni që ka mbajtur në kohën e Adriatik Llallës, si të pabazuar në ligj.

Ajo e lidh shkarkimin e saj me dërgimin në KQZ të kërkesës për ndërprerjen e mandatit për dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica.

Sipas saj, kryeprokurorja e përkohshme e ka thirrur në zyrë dhe i ka komunikuar shkarkimin për shkak se kërkesën e kishte nisur pa e vënë atë në dijeni.

Paraditen e së martës kryeprokurorja e përkohshme largoi dhe drejtuesin e prokurorisë së Fierit, Pal Deçollin dhe emëroi në vendin e tij Fatmir Lushin. Në Kukës, Artur Ismailukaj ka lënë detyrën duke u zëvendësuar nga Alketa Nushi. Agron Gjana është shkarkuar nga drejtimi i Prokurorisë së Durrësit dhe vendin e tij e ka marrë Donika Prela.

Sipas dispozitës kalimtare në ligjin për Prokurorinë, Prokurori i përkohshëm mund të emërojë magjistratët, të pezullojë prokurorët, të caktojë në pozicione të përhershme magjistratët e të hetojë shkeljet disiplinore.

Share This Video


Download

  
Report form