Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka vendosur që t?u ndërpresë mandatin dy deputetëve Gledion Rehovica nga LSI dhe Aqif Rakipit nga PDIU. KQZ miratoi në mbledhjen e dytë me 5 vota pro kërkesën e prokurorisë për ndërprerjen e mandateve për dy deputetët. Pro heqjes së mandateve votuan Klement Zguri, Bledar Skënderi, Denar Biba, Vera Shtjefni dhe Edlira Jorgaqi, Gëzim Veleshnja nga LSI nuk mori pjesë, ndërsa anëtari tjetër i PD, Hysen Osmanaj nuk ishte në mbledhjen e sotme.
Prokuroria i akuzon se preken nga ligji i dekriminalizimit, pasi janë raportuar për vjedhje në Itali dhe se nuk treguar emrat e dyte të përdorur. Të dhënat e ardhura nga Italia, sipas prokurorisë nuk janë deklaruar nga deputetët në formularin e vetëdeklarimit. Për deputetin e PDIU-së, Rakipi Interpol Roma thotë se ai është raportuar për vjedhje me emrin Skënder Ejylbegaj. Vjedhja në fjalë ka ndodhur në 03.11.1998, kohë kur deputeti ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit se ka qenë emigrant në Itali.
Deputeti i LSI-së, Gledion Rehovica sipas Interpol Romës, është i raportuar për vjedhje dyqani me emrin Kusta Mina në 27.02.1999, kohë kur vetë deputeti ka deklaruar se jetonte në Itali si student. Dy deputetët nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e sotme, ndërsa avokatët mbrojtës i kanë cilësuar si qesharake dhe të pabaza akuzat duke kërkuar rrëzimin e tyre. Kërkesa e avokatit të Rakipit, Sollaku për pezullimin e kërkesës është rrëzuar.