Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve ka vendosur me 4 vota pro dhe 2 kundër t?i kërkojë informacion shtesë Prokurorisë së Përgjithshme për deputetët Gledion Rehovicai LSI dhe Aqif Rakipi i PDIU, për të cilët organi i akuzës kërkoi ndërprerjen e mandateve.
Tre anëtarët e mbështetur nga Partia Socialiste dhe ai i LSI-së, në Komision argumentuan se prokuroria duhet të japë informacion për veprat penale që kanë konsumuar dy deputetët. Qëndrim ky që u përforcua edhe nga avokatët e dy deputetëve.
Anëtarët e mbeshtetur nga opozita thanë se Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve duhet të vendosë mbi konkluzionet që ka arritur Prokuroria përmes hetimeve, pasi është akuza organi që mban përgjegjësinë për të tilla raste.
I njëjti vendim për të kërkuar informacione shtesë u mor edhe për kryetarin e Bashkisë së Pogradecit Eduart Kapri, për të cilin prokuroria ka argumentuar se nuk preket nga dekriminalizimi. Por nënkryetari i KQZ-së Denar Biba thotë që duhet sqaruar se përse ai është debuar nga Italia.
Për dy ish-deputetët Mhill Fufi i Partisë Demokratike dhe Omer Mamo i PDIU, sipas referimit të prokurorise, KQZ vendosi se nuk janë subjekt i ligjit për Dekriminalizimin.
Mbledhja e ardhshme ku pritet të shqyrtohen informacionet e kërkuara nga prokuroria, do të mbahet më 5 Janar, ditë kur mbaron dhe afati që Komisioni duhet të shqyrtojë kërkesën e organit të akuzës. Sipas prokurorisë, Aqif Rakipi akuzohet për veprën penale të marrjes se mallrave të vjedhur në vitin 1998 në Itali, ku ka dhënë emrin Skënder Ejylbegaj, ndërsa deputeti i LSI, Rahovica akuzohet për vjedhjen e një dyqani në Itali, në vitin 1999 ku ka dhënë emrin Kusta Mina.