Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar heqjen e mandatit për dy deputetët Aqif Rakipi dhe Gledion Rehovica. Sipas akuzës, deputeti i PDIU dhe ai i LSI preken nga ligji i Dekriminalizimit, pasi nuk kanë deklaruar në formular emra të tjerë, të cilët i kishin përdorur në Itali ku rezultojnë të arrestuar për vjedhje.
Identifikimi se bëhet fjalë për të njëjtat persona është bërë nga shkëmbimi i informacionit me palën italiane. Kërkesa nga prokuroria, e cila mban firmën e Rovena Gashit është dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkohet ndërprerja e menjëhershme e mandatit për dy ligjvënësit.
KQZ pritet të mblidhet të mërkurën, ku do të diskutohet pikërisht për këtë kërkesë të prokurorisë. Për deputetin Rakipi, në 4 Tetor të këtij viti, Partia Demokratike bëri një kërkesë në prokurori, ku kërkonte verifikimin e formularit të Dekriminalizimit. Sipas PD, deputeti i PDIU kishte fshehur të dhëna, të cilat nuk i kishte deklaruar.
Po atë ditë, Kryeministri Edi Rama zhvilloi një takim me ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Adriatik Llalla ku në fokus ishte pikërisht çështja e deputetit Rakipi. Pas takimit, Prokuroria njoftoi se kishte nisur një verifikim të thelluar, që përfundoi këtë të martë, me kërkesën për heqjen e mandatit të deputetit.
Tv Klan