Shtatë prokurorë zyrtarisht kandidojnë për postin e kryeprokurorit të përkohshëm të Republikës së Shqipërisë, pas përfundimit të mandatit të Adriatik Llallës. Ora 18:00 e pasdites së sotme ishte afati i fundit i dorëzimit të kandidaturave. Nga Kryesia e Kuvendit, ku janë dorëzuar kandidaturat mësohet se janë vetëm 7 emrat që do të garojnë.
Arta Marku, Ferdinand Elezi, Besnik Muci, Granit Shahu, Arqile Koçi, Ermira Tafani dhe Artur Selmani janë shtatë kandidatët në garën për postin e Kryeprokurorit të përkohshëm të Republikës.
Nesër në orën 15:00 Komisioni i Ligjeve do të zhvillojë seancën dëgjimore me kandidatët për Kryeprokuror. Kandidatët do u përgjigjen pyetjeve të deputetëve. Ndërkohë po sot, kryeministri Edi Rama ftoi sërish shefin e opozitës, Lulzim Basha, që të pranojë dialogun dhe të vendosë drejtësinë mbi frikën, për të zgjedhur bashkërisht titullarin e organit të akuzës.
Ndërsa një mesazh i fortë ishte ai i ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu i cili u shpreh se duhet një Prokuror i cili nuk mbron të korruptuarit, ndërsa apeloi për marrëveshje mes palëve politike.