Policia ka sekuestruar pasuritë e Klement Balilit në Sarandë, i cili dyshohet të jetë i përfshirë në trafikun e drogës, ndërsa njihet ndryshe dhe si "Escobari i Ballkanit". Në pronën e Balilit, në resortin turistik "Santa Quaranta", kanë zbarkuar sot dhjetëra forca policie dhe përfaqësues të Prokurorisë për sekuestrimin e pasurisë së Balilit dhe të familjes së tij.
Gazetari i Report Tv në Sarandë, raportoi se zyrtarët e Prokurorisë janë futur brenda kompleksit "Santa Quaranta" dhe kanë biseduar me familjarët e Balilit për çështjen, ndërsa deri më tani nuk ka asnjë reagim nga këta të fundit.
Më tej, ai sqaroi se në resort tani nuk ka asnjë turist, por vetëm familjarët e Balilit dhe një prani të madhe policësh e prokurorësh. Këta të fundit kanë rrethuar resortin e Klement Balilit, i cili do të vihet në sekuestro preventive. Gjithashtu, do vihen në sekuestro preventive dhe pronat e tjera të Balilit, ku përfshihen 25 apartamente dhe sipërfaqe trualli.