Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi ka marrë nismë për gjobitjen dhe pezullimin e 12 guroreve që ushtronin aktivitet për shfrytëzimin e gurit dekorativ në Malin e Tomorrit.
Masat ndaj tyre janë ndërmarrë gjatë inspektimit në terren të një ekipi me inspektorë të Inspektoriatit Mjedisor dhe përfaqësues të Agjencisë së Mjedisit dhe Zonave të Mbrojtura nën drejtimin e ministrit Klosi.
Përveç gjobitjes dhe revokimit të lejes mjedisore, ministri Klosi tha se i gjithë dokumentacioni i tyre do të kalohet në sitë dhe sipas shkeljeve të konstatuara do të merren masa të ashpra deri në ndjekje penale.
?Janë evidentuar nga inspektoriati plot 12 gurore vetëm në këtë zonë të cilat janë krejtësisht jashtë çdo parametri mjedisor dhe shfrytëzojnë këto leje minerare në mënyrë krejtësisht të paligjshme.
Prandaj Inspektoriati i Mjedisit do të marrë masa duke i gjobitur ato që sot, duke kërkuar revokimin e lejeve mjedisore për të 12 subjektet dhe po ashtu duke parë të gjitha mundësitë që të 12 subjektet të kalojnë edhe për ndjekje penale, ? tha ministri Klosi.
Ai paralajmëroi një reformë të plotë së bashku me institucionet e tjera shtetërore në ndryshimet ligjore dhe lejet mjedisore për biznesin e guroreve.