Prej dy ditësh 18 ambasadorët vendeve të BE në vendin tonë ndodhen në Dibër. Delegacioni i ambasadorëve kryesohet nga Ambasadorja e BE Romana Vlahutin. Ambasadorët u takuan me drejtues të pushtetit vendor ku u njohën me problematikat që ka bashkia e Dibrës për investime dhe kryerjen e shërbimeve.
Po ashtu, ata zhvilluan një vizitë edhe në shkollat e qytetit. Ndalesa e radhës ishte në zyrën e Turizmit. Për këtë është diskutuar mundësia e nxitjes së turizmit në zonë. Kryetari i Bashkisë Dibër, Muharrem Rama, tha se pushteti vendor do të kërkojë mbështetje për financimin e projekteve jo vetëm nga qeveria, por edhe nga donatorët e huaj.
Ambasadorja e BE, Romana Vlahutin u shpreh se Dibra ka mundësi zhvillimi nëpërmjet turizmit dhe se ajo do të jetë një mbështetëse në të ardhmen. Vlahutin iu shmang pyetjeve të gazetarëve në lidhje me aktualitetin politik në vend, duke u shprehur se për këtë do të flasë në Tiranë.