Projekti ?Ruajtja e Agro-biodiversitetit në zonat rurale të Shqipërisë? financuar nga Ministria gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim dhe zbatuar nga Shoqëria Gjermane për Bashkëpunim Ndërkombëtar (GIZ) në Shqipëri, ka nisur tashmë fazën e dytë.
Programi, për njerëzit dhe natyrën, synon kthimin e veriut të vendit në një destinacion turistik përmes promovimit të biodiversitetit dhe shfrytëzimit të pasurive natyrore.
Ralf Peveling, drejtor i programit, thotë se Ministria e Mjedisit në bashkëpunim me GIZ i kanë kushtuar vëmendje të veçantë mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit në zonën e Alpeve, kombinuar me përdorimin e qëndrueshëm të burimeve dhe përmirësimin e ekonomisë së banorëve lokale.
Veprimi ynë orientohet në dy drejtime, ruajtja e biodiversitetit dhe gjenerimi i të ardhurave bashkë me zhvillimin rural.
I pari ka synim reduktimin e faktorëve që kërcënojnë biodiversitetin në zonat e mbrojtura. Gjenerimi i të ardhurave për zonat rurale është me rëndësi të dorës së parë, programi nuk mund të funksionojë pa këtë komponent.
Është shumë e rëndësishme që ruajtja e biodiversitetit të shoqërohet me garantimin e të ardhurave për banorët e zonave rurale. Kjo duhet lidhur ngushtë me përmirësimin e menaxhimit të burimeve natyrore
Në takimin e zhvilluar me partnerët e projektit, u tha se Si rezultat i mbështetjes së dhënë deri tani Shkreli dhe Lekbibaj janë shpallur parqe rajonale dhe gëzojnë statusin e zonave të mbrojtura. Ndërkohë pritet shpallja e një parku të Alpeve Shqiptare që do përfshijë Vermoshin, Thethin dhe Valbonën.
Një numër i madh banorësh janë trajnuar për të përmirësuar shërbimet dhe kanë modernizuar shtëpitë e tyre duke i kthyer ato në bujtina të përshtatshme për të pritur turistët.