KORÇE-Ulja e temperaturave ka sjellë edhe dëborën e parë në juglindje te vendit. Dëborë ka rënë në lartësitë mbi 1000 metra. Dardha, Voskopoja, Lekasi dhe Moglica në rrethin e Korçës por edhe në fshatrat të njësisë administrative Dardhas në Pogradec, Miras në Devoll dhe në zonën e Çlirimit në Kolonjë janë zbardhur nga dëbora.
Trashësia e borës në këto zona ka shkuar deri në 5 cm dhe sipas burimeve që vijnë nga zyra e emergjencave civile bëjnë me dije se nuk ka probleme në qarkullimin e automjeteve në këto akse rrugore. Të njëjtat burime bëjnë me dije se firmat nën/kontraktore kanë kriposur akset rrugore të Dardhës dhe Voskopojës si dhe akset e tjera ndërkohë që mjetet janë në gatishmëri në lartësitë e mbuluara nga bora.
Përveç dëborës në Korçë, sot pothuajse i gjithë vendi është përfshirë nga reshje të dobëta shiu, ndërsa e njëjta situatë do të vijojë edhe nesër. Sipas të dhënave të Institutit të Gjeoshkencave temperaturat gjatë ditës së sotme dhe nesërme pritet të zbresin deri në 7 °C në bregdet, ndërsa në vendet malore 0 / 10°C.
Në bregdet - temp. minimale do të zbresin deri në 7 °C, ndërsa ato maksimale do të ngjiten deri në 17 °C
në vendet e ulta - përkatësisht 4/ 18 °C
në vendet malore - përkatësisht 0 / 10°C