LUSHNJE - Atentat me armë zjarri në një lokal në lagjen "Loni Dhamo" të Lushnjes, pak metra larg komisariatit të policisë. Dy persona kanë mbetur të vdekur nga breshëria e kallashnikovit, ndërsa një person i tretë është plagosur rëndë. Viktima të këtij atentati kanë mbetur Zamir Latifi, 23 vjeç dhe Jurgen Hoxha, 22 vjeç.
Burime pranë policisë bëjnë të ditur për Shqiptarja.com se i plagosur ka mbetur shoku i viktimave, Marjus Xhepexhiu is dhe një kalimtar i rastit. Shënjestrat e këtij atentati kanë lidhje familjare me ish-kreun e Bandës së Lushnjes, Aldo Bare. Zamir Latifit i është bërë atentat edhe një vit më parë me Xhulio Shkurtin, nipin e Aldo Bares. Nga ky atentat mori një plumb në këmbë Xhulio Shkurti, ndërsa i plagosur mbeti edhe Sajmo Xhelili. Xhelili dhe Shkurti kanë edhe lidhje familjare me njëri-tjetrin. Forca të shumta policie, përfshirë edhe RENEA-n, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorëve të këtij krimi. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur edhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako.
Pak minuta pas ngjarjes u gjet automjeti i djegur i autorëve të atentatit përgjatë aksit rrugor Lushnje-Berat, pranë fshatit Çukaj. Policia gjeti në brendësi të automjetit tre armë zjarri kallashnikov, të cilat dyshohet se janë përdorur në atentatin e sotëm në Lushnje.
Si ndodhi atentati
Dy viktimat, Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha kanë qenë të ulur në një bar-kafe në lagjen "Loni Dhamo" kur ndaj tyre është qëlluar me breshëri kallashnikovi nga një automjet në lëvizje. Ata nuk kanë mundur t'u shpëtojnë plumbave që dyshohet se kanë ardhur nga të paktën dy persona të ulur në vendin e pasagjerit të automjetit. I plagosur ka mbetur edhe shoku i dy viktimave Marjus Xhepexhiu. Gjithashtu një nga plumbat ka prekur edhe një kalimtar të rastit, Bujar Turku, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.