Ministri i Energjisë dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ka dhënë sot një lajm të mirë për qytetarët, përsa i përket marrjes së shërbimeve publike.
Në një dalje për media, ministri Gjiknuri tha se çdo qytetar do të mund të bëjë pagesën online përmes portalit e-Albania.
Sipas tij, MTI po studion të gjitha hapat e tjerë të nevojshëm për të lehtësuar shërbimet në Drejtorinë e Transportit Rrugor.
?Jam sot para jush për të ju komunikuar një tjetër vendim në kuadër të hapave që po ndërmerr qeveria për lehtësimin dhe eleminimin e çdo lloj burokracie të tepërt dhe të panevojshme për marrjen e shërbimeve publike nga ana e institucioneve shtetërore.
Për të gjithë ata qytetarë që duhet të marrin apo dorëzojnë dokumente në zyrat e administratës, ne shtojmë listën e këtyre dokumenteve që mund të tërhiqen online në portalin e-Albania, si nga qytetarët, ashtu edhe nga institucionet publike të cilave u nevojiten ato.
Duke filluar nga java e ardhshme, asnjë institucion shtetëror, për nevojat e procedurave të veta, nuk do tua kërkojë më qytetarëve konfirmimin për gjendjen aktive të mjetit. Do jenë vet institucionet që do ta bëjnë këtë verifikim përmes portalit online e-Albania.
Autorizimi për rifitimin e lejes së drejtimit dhe vërtetimi për lejen e drejtimit, të cilat janë shërbime me pagesë do të kryhen nga qytetari online. Pra, përmes portalit e-Albania, çdo qytetar që ka nevojë për këto dokumente mund ta bëjë pagesën online dhe gjithashtu merr vërtetimin online.