TIRANË - Për ish-Prokurorin e Përgjithshëm, Theodhori Sollaku, reforma në drejtësi është jetike për vendin, por ajo nuk duhet të niset në pikën zero, duke ribërë gjithçka. Në një intervistë për gazetën ?Shqiptarja.com?, Sollaku shpreh rezerva mbi modelet e marra si referencë për ndryshimet kushtetuese, duke thënë se asnjëra nuk është model i ndonjë vendi anëtar në BE, çka është dhe synimi i vetë reformës. Sipas Sollakut, lënia e vulës në dorë të Komisionit të Venecias nuk është ndonjë garanci e madhe, për dy arsye: së pari sepse niveli i tyre profesional nuk ka ndonjë diferencë nga ajo e ekspertëve tanë, dhe së dyti, sepse edhe sistemi ekzistues është i certifikuar më parë nga Venecia, por rezultoi i dështuar.