http://www.vizionplus.tv
https://facebook.com/VizionPlusTV
https://twitter.com/VizionPlusTV
Shqipëria i bashkohet komunitetit ndërkombëtar për të përballuar flukse migratore, por është dhe një nga aktorët kyç në rajon në luftën ndaj terrorizmit. Kështu është shprehur kreu i shtetit Bujar Nishani gjatë fjalës së tij në Asamblenë Parlamentare të Kombeve të Bashkuara. Nishani deklaroi se këto janë sfida që nuk përballohen në nivel shtetesh, por vetëm përmes një qasje të përbashkët globale.?Shqipëria i bashkohet përpjekjeve të komunitetit ndërkombëtar për të përballuar flukset migratore dhe ato të refugjatëve në mënyrë konsistente dhe të koordinuar. Sot, realiteti në teren dhe në nivelin e politikave, po na shtyn për të ndryshuar qasjen tonë në nivel rajonal dhe më gjerë, në mënyrë që të ndërmarrin hapa cilësore përpara, në punën tonë dhe qasjen mbi migracionin dhe bashkëpunim. Në këtë kontekst, Shqipëria vlerëson rolin e patjetërsueshëm të OKB-së në luftën globale kundër terrorizmit dhe parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm, duke e konsideruar Organizatën një aktor kyç. Gjithashtu, Shqipëria mbështet Planin e Veprimit të Sekretarit të Përgjithshëm për Parandalimin e Ekstremizmit të Dhunshëm, si dhe rolin aktiv të OKB-së për gjetjen e zgjidhjeve politike dhe adresimin e rrënjëve të konflikteve në zonat e prekura prej tyre?.Kreu i shtetit është ndaluar dhe te progresi që ka bërë Shqipëri në çështjen e reformave. Ai tha se miratimi i reformës në drejtësi ndez dritën e gjelbër për çeljen e negociatave për anëtarësim.?Marrja e statusit të Vendit Kandidat dhe pritshmëria për hapjen së shpejti të negociatave të aderimit në Union, janë njohje të arritjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të nevojshme dhe arritjen e standardeve të kërkuara. Bashkimi Evropian po kalon sfida të forta, veçanërisht pas BREXIT, por Shqipëria është e vendosur për të vijuar me rrugën e reformave, duke e konsideruar integrimin evropian si objektivin më madhor të saj dhe alternativën e vetme e më të mirën. Në kuadrin e reformave të brendshme, një prej reformave më madhore ka qenë dhe mbetet reforma në drejtësi, e cila jo vetëm që përbën një bazë solide për hapjen e negociatave të aderimit në Bashkimin Evropian, por përmirëson standardet e funksionimit të shtetit ligjor dhe garanton një zhvillim të qëndrueshëm ekonomiko-social.?Gjatë fjalës së tij kreu i shtetit evidentoi se këtë vit Shqipëria kremtoi 61 vjetorin e anëtarësimit të saj në Kombet e Bashkuara, duke e cilësuar se parimet e kësaj organizate e kanë ndikuar për paqen, sigurinë dhe përmirësimin e të drejtave të njeriut.