Familjarët e gjyqtarëve dhe prokurorëve shqiptarë ?shërbejnë? në pozicionet kyçe të administratës publike. Si mos të mjaftonte pasurimi i shpejtë, shpeshherë i pajustifikuar me burime të ardhurash të ligjshme, njerëzit e drejtësisë kanë akomoduar në pozicionet më të lakmueshme të administratës bashkëshortet, bashkëjetueset dhe fëmijët e tyre, të cilët paguhen me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Teksa reforma në administratë pritet të jetë kryefjala e qeverisë ?Rama 2?, Shqiptarja.com ka identifikuar dhe publikon familjarët e disa prej prokurorëve dhe gjyqtarëve, që punojnë në zyrat e shtetit shqiptar. Tre familjarë të anëtarit të Gjykatës së Lartë, Tom Ndrecës, punojnë në sektorin shtetëror, konkretisht djali Erion Ndreca punon në Ministrinë e Drejtësisë, djali tjetër Erind Ndreca tek ZVRPP Tiranë dhe bashkëshortja Kristina në Universitetin Politeknik të Tiranës.