Për herë të parë pas largimit nga posti i Presidentit të Republikës, Bujar Nishani flet për rrezikun e rikthimit të regjimit të vizave me bashkimin evropian.
Në një analizë të gjatë të tij ish-kreu i shtetit thotë se megjithëse kërkesa e disa institucioneve holandeze nuk është ende zyrtare ajo ka elementë domethënës që i vendos praktikisht shqiptarët në fije të perit. Kjo për shkak se sipas tij kjo është kërkesë e agjencive të ngarkuara me çështjen e sigurisë dhe luftën kundër kriminalitetit dhe sepse nga dhjetori i vitit 2016, Këshilli i Ministrave të BE ka miratuar mekanizmin e pezullimit të lëvizjes së lirë për vendet jo anëtare nga çdo vend anëtar. Shkak për këtë situatë Nishani thotë se është përhapja e fenomenit të kanabisit duke kujtuar thirrjen e mbledhjes se Këshillit të Sigurisë Kombëtare në nëntor të 2016-ës.
?Vlerësimet e agjencive inteligjente vendase dhe të huaja tregonin se nga shkurt, marsi deri ne shtator, tetor të 2016 paraja e qarkulluar nga trafikimi i drogës ishte më e madhe se buxheti vjetor i shtetit !!! Ky shqetësim dhe angazhim institucional u bojkotua, u ironizua, u anatemua dhe u injorua. Mbërritëm ku mbërritëm!?
Ish-presidenti paralajmëron se rreziku për rikthimin e vizave është. E sigurt sipas tij është se çelja e negociatave për anëtarësim këtë vit është përfundimisht e humbur. Ai apelon për një reagim qytetar dhe institucional ndaj trafikut të drogës dhe pasurive të vëna në rrugë kriminale në mënyrë që për shqiptarët Europa të mos ndalohet sërish. /Tv Klan