Komisioni Parlamentar i Integrimit do i drejtohet me një kërkesë zyrtare ambasadores së Holandës në Shqipëri për të raportuar në komision dhe të japë shpjegime lidhur me kërkesën e vendit të saj për rikthimin e vizave për shqiptarët. Kryetarja e grupit parlamentar demokrat në parlament, Rudina Hajdari tha se do të kërkojë një raport konkret me shifra ekzakte në lidhje me kriminalitetin shqiptar në Holandë.
"Prej saj do të kërkojmë një raport me shifra ekzakte që të shikojmë çfarë ka ndodhur në Holandë në lidhje me rritjen e kriminalitetit shqiptar. Duam që ambasadorja holandeze të vijë në komision që të japë shpjegime për kërkesën e Holandës për letrën drejtuar KE-së për rikthimin e vizave" tha Rudina Hajdari.
Ralf Gjoni kërkoi që kërkesa të bëhet sa më shpejt, ndërsa u miratua në komision ditën e sotme. Holanda miratoi në parlament një rezolutë, të cilën ia dërgoi KE-së duke i kërkuar që të pezullojë lëvizjen e lirë për shqiptarët për dy arsye, e para nivelin e kriminalitetit dhe e dyta fluksin e emigrantëve të paligjshëm, të cilët kërkojnë edhe azil.
Por në vitin 2015 numri i azlikërkuesve ka qenë 1005 dhe në 2016 ka shkuar në 1665 në vitin 2017 ka rënë në 365 dhe në vitin 2018 ka pasur 550 shqiptarë që kanë kërkuar azil, por ashtu edhe niveli i kriminalitetit është shumë i vogël.