Me rënien e fluksit të turistëve, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një operacion kombëtar të Policisë së Shtetit, me qëllim pastrimin e fenomenit të kanabisit, që siç theksoi ai njollos vendin, por jo vetëm. Ky operacion do të ketë për qëllim goditjen e elementëve kriminalë në të gjithë vendin.
"Policia të përgatitet për një operacion të madh kombëtar, ndaj atyre që "kanë statusin e të fortëve". Mjafton që ky operacion që duhet përgatitur me shumë kujdes, të vihet në zbatim me përfundim të sezonit".
"Është koha ta pastrojmë Shqipërinë jo vetëm nga kanabisi, por edhe nga këto mikrobe të gjalla që kërcënojnë sigurinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Policia ka informacionin e duhur, ka emra, bëma, lidhje, lëvizje të këtyre lloj mikrobeve që të bëjnë të mundur operacionin super të suksesshëm në këtë drejtim për t?i dhënë një mesazh njerëzve të këtij vendi se, koha kur shteti ishte vetëm një aleternativë e sigurisë së tyre ka ikur."
Kreu i qeverisë tha se "ka ende kryetar bashkish apo njësish administrative që nuk janë shfaqur në lartësinë e kësaj sfide, për çrrënjosjen e fenomenit të kanabisit".
Rama bëri gjithashtu thirrje për goditjen e elementëve brenda Policisë së Shtetit, të cilët janë të lidhur dhe të nënshtruar ndaj këtyre elementëve kriminalë.
Deklaratat, Kryeministri i bëri në mbledhjen e kësaj të hëne të Task Forcës për luftës kundër kanabisit, në Zyrën Operacionale të Situatës.
Në nisje të mbledhjes, një postim në rrjetet sociale, Rama paralajmëroi sekuestrim të aseteve kriminale dhe ndjekje, arrestim e ndëshkim ligjor të "të fortëve", gjë të cilën e theksoi edhe në fjalën e tij
"Drejt zmbrapsjes totale të kultivuesve të kanabisit në të gjithë territorin e vendit dhe pastrimit përfundimtar të hartës së Shqipërisë nga njolla e këtij fenomeni kriminal. Në rend të ditës sekuestrimi i aseteve kriminale dhe ndjekja, arrestimi e ndëshkimi ligjor i "të fortëve" në feudet e në llagëmet e drogës", shkruajti Kryeministri./tvklan.al